Patentat e makinave, afat vlefshmërie deri në 15 vjet

1

Ka nisur këtë javë zbatimi i Kodit të ri Rrugor. Ndër ndryshimet e Kodit të ri Rrugor është e zgjatja e afatit të vlefshmërisë të Lejes së Drejtimit nga 10 në 15 vjet, për të gjithë ata që e rinovojnë deri sa mbushin moshën 70 vjeç.

Patentat e makinave tanimë do të kenë një afat më të gjatë të vlefshmërisë së tyre, i cili shkon deri në 15 vjet.

Afatet e reja kanë hyrë në fuqi dhe janë afro 80 mijë drejtues mjetesh në të gjithë vendin që përfitojnë prej tyre, në bazë të të njëjtit standard që ndiqet edhe në vendet e BE-së, duke i lehtësuar qytetarët me cikle më të shkurtra të rinovimit të patentës, nga 11-12 rinovime si deri sot, në vetëm 4-5 rinovime sipas afateve të reja nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, një institucion lider në rrugën e reformave e të revolucionit digjital.

Qytetarët e vlerësuan si lehtësim dhe ulje të kostos zgjatjen e afatit të rinovimit të lejes së drejtimit.

“Më leverdis shumë, pasi jetoj në Itali dhe nuk do më duhet të kthehem çdo 10 vjet për të rinovuar patentën”, shprehet një qytetare, e cila rinovoi lejen e drejtimit. Ajo vlerësoi edhe shërbimin e ofruar nga DPSHTRR.

Një tjetër qytetar theksoi se, ishte ndjerë shumë mirë gjatë kohës kur aplikoi për rinovimin e lejes së drejtimit, pasi ofrohej një shërbim dinjitoz.

“Mbarova punë për 5 minuta. Rinovimi çdo 15 vjet i lejes së drejtimit na lehtëson”, u shpreh një tjetër qytetar.

Nga ky ndryshim, llogaritet se qytetarëve iu është kursyer rreth 1 miliard lekë në vit, tarifa, kohë, karburant, lëvizje.

/ata.gov.al