Përmeti destinacion turistik

1

Përmeti vijon të jetë një nga destinacionet e preferuara të turistëve të shumtë vendas e të huaj, të cilët  shijojnë dhe përjetojnë bukuritë e tij, si në turizmin kulturor, shëndetësor dhe atë natyror.

Kryetarja e bashkisë së Përmetit, Alma tha për ATSH-në tha se “për periudhën janar-korrik mbi 60 mijë turistë kanë qëndruar minimalisht 1 natë në Përmet. Nëse do të llogarisim në numër edhe vizitorët ditorë shifra shkon mbi 80 mijë turistë vendas e të huaj”.

Sipas saj, në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje prej 25 % të numrit të turistëve.

“Vendet më të preferuara që vizitohen nga turistët janë Ujërat Termale të Bënjës, Lumi Vjosa, Kisha e Shën Mërisë në Leusë, Teqeja e Baba Aliut Alipostivan, Bredhi i Hotovës, Ujëvara e Sopotit, Lagjja Historike Përmet, Kisha e Shën Mërisë Kosinë, etj”, tha Hoxha.

Sipa saj, këtë vit vihet re trendi i turistëve nga Gjermania, Polonia, Italia dhe Spanja, por edhe nga vende të tjera.

Kryebashkiakja Hoxha u shpreh se bashkia e Përmetit ka organizuar një sërë aktivitetesh për promovimin e qytetit.

“Mund të përmendim festat e ndryshme si Dita e Verës, Vjosa në Fest, Festa e Gjysheve. Gjithashtu është bërë një punë mjaft e mirë me mbështetjen e guidave dhe subjekteve lokale me qëllim zhvillimin e ekonomisë vendase, ku mund të përmend kurset për guida lokale të certifikuara për rafting. Markimin e shtigjeve të ndryshme, zhvillimin e garës Iliryan Race, Festivali Climbing etj.”, tha Hoxha.

Gjatë viteve të fundit turistët kanë gjithnjë e më shumë një trend në rritje për të vizituar Përmetin. Në këtë qytet gjenden parqe të mëdha natyrorë, lugina me lëndina të bukura e shumë monumente natyrore, kulturore e pika turistike, të cilat vlejnë të vizitohen e të shikohen nga afër.

Një vend të veçantë zënë kishat si ajo Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kisha e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Kosinë, Kisha e Shën Mërisë në fshatin Leusë. Në Përmet ndodhet edhe Teqeja e Alipostivanit, e ngritur mbi një kodër të bukur mbi fshatin Alipostivan.

Një tjetër monument kulti dhe historik shumë i famshëm në Shqipëri është edhe Teqeja e Frashërit, e ndërtuar më 1781 nga Sulejman Beu i Frashërit.

Në pjesën lindore të tij ndodhen Ujërat Termale të Bënjës, të njohura për vlerat kurative si dhe për kanionet shkëmbore të Langaricës me Shpellën e Pëllumbave.

/ata.gov.al