Restaurim banesave “monument kulture” të familjeve Mitro dhe Fileri në Berat

72

Në qytetin e Beratit banesat karakteristike janë gjithnjë e më shumë në vëmendjen e specialistëve të monumenteve të kulturës.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se “po punohet në banesën e familjeve Mitro dhe Fileri në lagjen ‘Goricë’ monumente kulture të kategorisë së parë”.

“Pas përfundimit të fasadës lindore ku u realizua restaurimi i muraturës së gurit, suvatimi në muraturën çatma si dhe restaurimi i tavanit të strehës së çatisë, aktualisht po punohet për suvanë në fasadën kryesore atë ballore të banesës”, – tha DRKK Berat.

Arkitektura unikale e banesave në Berat duket se i përket kryesisht fazës ndërtimore të shek. XVIII-XIX me ndërthurjen e elementëve të gurit me atë të drurit.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.