Rritet prodhimi në serra/ Kryeson domatja, Fieri ka më shumë se gjysmën

24

Prodhimi në serra është rritur me rreth 3 %, gjatë këtij viti, ndërsa produktet e perimeve në serra përfaqëson mbi 22 % të prodhimit të përgjithshëm bujqësor vendas.

Skemat e subvencionit në bujqësi dhe programi IPARD, janë një fakt konkret i rritjes dhe zhvillimit të bujqësisë, në mbështetjen që i adresojnë fermerëve dhe sipërmarrjeve që operojnë në këtë sektor.

Me mbështetjen e AZHBR-së, janë ndërtuar 78 serra të reja diellore moderne të teknologjisë së lartë në 12 bashki të vendit, disa prej të cilave janë shndërruar në komplekset më të mëdha të serrave krahasuar me vendet e rajonit. Konkretisht për kultivimin e fidanëve të perimeve, apo edhe prodhimin e perimeve të freskëta, siç janë ato Fier, Lushnjë e Divjakë.

Sipas MBZHR, mbi 52 % e prodhimit të perimeve në serra i përket qarkut Fier. Ndër produktet që kryesojnë me prodhimin më të lartë është domatja që zë 51,9 % të prodhimit të përgjithshëm në serra.

Statistikat tregojnë se, qarku me përqindjen më të lartë të prodhimit të perimeve në serra ndaj prodhimit të perimeve gjithsej është Berati me 64,62 % dhe Fieri 27,79 %, përqindja më e ulët është shënuar në qarqet Korçë dhe Gjirokastër, 0,16 % dhe 0,42 %.