Shërbimi ‘Fast Track’ në ZRPP/ Regjistrimi i pasurive të paluajtshme në Tiranë, tashmë me shërbim për 24 orë

204

Një shërbim i ri dhe shumë i shpejtë është vendosur në Zyrën Vendore të regjistrimit të Pasurive të paluajtshme në Tiranë. “Fast Track”, ose Shërbimi i shpejtë për 24 orë, mundëson që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë brenda ditës një listë me 9 shërbime, më të kërkuara dhe që zënë rreth 40% të volumit të punës në hipotekën e Tiranës.

Qytetarët dhe bizneset mund të aplikojnë për shërbimet të tilla si Kontratë shitje apo dhurimi, Rifreskim kartele dhe harte, Bllokim/zhbllokim pasurie në bankë etj., pranë dy sporteleve të dedikuara të agjencisë ADISA dhe përgjigja u shkon një ditë më pas në shtëpinë apo zyrën e tyre përmes Postës Shqiptare. Më parë afati kohor i ofrimit të këtyre shërbimeve shkonte deri në 9 ditë.

Shërbimi i ri Fast Track është një projekt pilot, i cili brenda marsit të vitit të ardhshëm do të shtrihet edhe në Zyrat e tjera Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në të gjithë vendin.