Si përfitohet pagesa e papunësisë gjatë kësaj periudhe, do jetë 260 mijë lekë

3218

Personat që humbasin punën, edhe si pasojë e krizës së shkaktuar nga koronavirusi i ri mund të përfitojnë pagesën e papunësisë, sikurse përcakton legjislacioni në fuqi. Aktualisht, masa e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia për çdo përfitues është 50% e pagës minimale në shkallë vendi, që do të thotë 13 mijë lekë.

Por, qeveria ka njoftuar se përgjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore, masa e kësaj pagese do të 2-fishohet, duke shkuar në 26 mijë lekë. Sipas legjislacionit në fuqi, të drejtën për të përfituar e kanë të gjithë personat e siguruar, ndërkohë që kohëzgjatja e përfitimit varet nga periudha që çdokush ka derdhur kontribute të sigurimeve shoqërore.

Kështu, për personat me periudhë kontributi 1 vit, do të merret 3 muaj asistencë, për ata që kanë derdhur kontribute 3 vjet përfitohet 6 muaj asistencë, ndërsa për ata që kanë të paktën 5 vjet sigurime do të përfitohet për një periudhë 9-mujore. Ndërkohë që, ata persona që kanë paguar mbi 10 vjet sigurime do të përfitojnë asistencën për një periudhë 1-vjeçare. Gratë mbi 55 vjeç dhe burrat mbi 60 vjeç përfitojnë pagesë papunësie 12 muaj, me kusht që të kenë kontribuar 1 vit në sigurimet shoqërore, për çdo rast përfitimi.

Personat që duan të përfitojnë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e  nevojshëm pranë zyrave të punës, ku përfshihet kërkesa për aplikim, libreza e punë dhe fotokopja e dokumentit të identitetit. Me pagesën e papunësisë mbështeten financiarisht të gjithë punëkërkuesit e papunë në rast papunësie për shkak të shkurtimit të vendit të punës, ndërprerjes së kontratës së punës, falimentimit të ndërmarrjes, zvogëlimit të aktivitetit, etj.