Subvencionim deri në 150 mijë lekë për bletarët, kush përfiton

16

Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2022, parashikon këtë vit subvencionimin deri në 150 mijë lekë të bletarëve, për numrin e koshereve që kanë në ferma.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se, të gjithë bletarët përfitojnë subvencionim nga 1 mijë lekë për zgjua, për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere, por jo më shumë se 150 mijë lekë për subjekt.

Bletaria në vendin tonë ka një traditë të hershme. Mjalti “Made in Albania” dallon për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të florës dhe klimës që ka vendi ynë.

Sot prodhimi dhe tregtimi i mjaltit është ende në nivele të konsumit të brendshëm dhe eksportohet vetëm në vendet e rajonit. Certifikimi i këtij prodhimi sipas standardeve europiane pritet të zgjerojë gjeografinë e eksporteve të mjaltit “Made in Albania”.

AZHBR njoftoi se, vitin e kaluar rreth 90 % e fermave që aplikuan kishin 100-150 koshere në zotërim dhe vlera e subvencionit që përfituan nga skema kombëtare arriti deri në 150 mijë lekë për fermë.