”The Week”: Udhëtoni përgjatë Vjosës drejt peizazheve me bukuri befasuese

1

Duke buruar nga malet e Pindit në Greqi, por që rrjedh për pjesën më të madhe të gjatësisë së saj prej rreth 200 kilometrash përmes Shqipërisë Jugore deri në Adriatik, Vjosa është lumi i fundit me të vërtetë i egër evropian, shkruan ”The Week” në një artikull redaksional.

”Asnjëherë Vjosa nuk është bllokuar, kanalizuar apo ridrejtuar”, thotë Alex Crevar për ”The New York Times” dhe gjashtë muaj më parë, pas vitesh fushate për mbrojtjen e saj, më në fund iu dha statusi i parkut kombëtar në Shqipëri.

Udhëtimi përgjatë saj ju çon nëpër një peizazh me bukuri befasuese, ku vreshtat, pemishtet dhe ullishtat përzihen me livadhe me lule të egra, mes maleve të larta të mbuluara me pyje lisi dhe pishe.

Urat antike përshkojnë ujërat bruz të lumit dhe aty-këtu ai vërshon nëpër gryka dhe kanione ku raftingu mbetet i mrekullueshëm.

I shtrirë në një kthesë të lumit, rreth 30 kilometra larg kufirit grek, qyteti i vogël i Përmetit është një qendër aventureske nga e cila mund të niseni në ekspedita të tilla rafting si dhe në udhëtime me guida, çiklizëm dhe ecje.

Aty pranë ndodhet ”Ferma Albanik”, një bujtinë e këndshme me një restorant të furnizuar nga fermat lokale të drejtuara nga familja.

Shqipëria është e njohur për ushqimin e saj dhe Lugina e Vjosës e ngre nivelin edhe më lart, me fruta e perime të mrekullueshme, peshk lumi, mjaltë mali, djathë, verë e të tjera.

I vendosur pranë lumit Drinos – një nga degët e mbrojtura të Vjosës – ndodhet qyteti i vjetër dhe i bukur i Gjirokastrës, nga i cili mund të ndiqni rrugën e re deri në deltën e Vjosës dhe në Adriatik.

Gjatë rrugës ka vende të shkëlqyera historike, përfshirë rrënojat e qytetit antik grek të Antigonesë.

/ata.gov.al