Tjetër hap për hekurudhën Tiranë-Durrës, kalon deklarata mjedisore për terminalin publik dhe linjën e re në Rinas

59

Projekti për rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e një linje të re Tiranë-Rinas po i afrohet gjithmonë e më shumë zbatimit në terren që parashikohet të nisë para mesit të këtij viti.

Vetëm pak kohë më parë, nga ana e Hekurudhës Shqiptare, që është edhe autoriteti kontraktor i projektit, u sigurua deklarata mjedisore që është dokument i lëshuar nga Ministria e Mjedisit si një hallkë para zbatimit.

Konkretisht, deklarata mjedisore është dhënë për linjën hekurudhore Durrës -Tiranë, terminalin publik të transportit dhe linjën e re për Aeroportin Nënë Tereza. Në muajin janar, pranë të njëjtit institucion, kaloi vlerësimi i ndikimit në mjedis, ndërsa kontrata me kompaninë fituese që do të bëjë zbatimin e projektit u nënshkrua në shkurt të këtij viti.

Në këtë projekt, rol të rëndësishëm ka Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila është edhe financuesja e tij. Ishte pikërisht kjo Bankë që në tetor të vitit të shkuar pas një procesi të gjatë prokurimi bëri me dije se fituese ishte italiania INC S.P.A. Kompania do të zbatojë projektin e rehabilitimit të lidhjes hekurudhore 34.2 km midis Tiranës (terminalit të Transportit Publik të Tiranës) dhe qytetit të Durrësit si dhe ndërtimin e rreth 5 kilometrave të linjës së re hekurudhore midis Tiranës dhe Aeroportit të Rinasit.

Gjithsej kostoja totale e projektit është 92.1 milionë euro, nga të cilat 35.5 milionë euro grant mbulohet nga Kuadri i Investimeve i Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe 36.9 milionë euro është i mbuluar nga kredia e BERZH, ndërsa pjesa e mbetur do financohet nga qeveria shqiptare.

Projekti i rehabilitimit të hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimit të zgjatimit të ri në Rinas është pjesë e Axhendës së Konektivitetit, që synon lidhjen mes rajonit e më gjerë me Europën, dhe në kuadër të Nismës së Berlinit, projektet që kualifikohen mund të tërheqin grante dhe financime nga donatorët.

Fillimisht projekti parashikohej të mbaronte në terminalin e transportit publik në Tiranë (ku është sot terminali i autobusëve). Por, për shkak të humbjes së pasagjerëve me largimin e stacionit të trenit, është vendosur që të zgjaten edhe disa kilometra hekurudhë, në mënyrë që vetëm terminali i pasagjerëve të jetë afër ish-stacionit të vjetër të trenit, rreth 200 metra larg parkimit të sotshëm.