Vendi që zë prodhimi bujqësor në Shqipëri/ Kryesojnë perimet, frutat, blegtoria

39

Prodhimi bujqësor vendas po orientohet gjithnjë e më shumë drejt tregut, ku dominojnë perimet, frutat agrumet e vreshtat ndër më të kërkuarat për eksport dhe konsumatorët vendas.

Bujqësia është sektori me peshën më të lartë në ekonominë e vendit që zë rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe peshën më të mëdha në prodhimin bujqësor e kanë perimet me gati 58 % të totalit.

Pesha e perimeve në totalin e prodhimeve bujqësore ka pasur një rritje të shpejtë sidomos në vitin e fundit për shkak të nxitjes që erdhi nga kërkesa për eksport.

Referuar statistikave zyrtare, prodhimi i perimeve të freskëta u rrit me 1,25% gjatë vitit të  kaluar, trend që po vijon edhe gjatë këtij viti bën të ditur Ministria e Bujqësisë.

Rreth 1.2 milionë ton perime u prodhuan në 2018. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është shënuar në qarkun e Fierit, me 418.921 ton, në qarkun e Tiranës, me 127.176 ton, e në qarkun e Beratit, me 118.687 ton.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, pas perimeve, prodhimi i qumështit dhe i mishit kanë peshën më të madhe në sektorin e bujqësisë me nga 19,1% secila. Shqipëria ka potenciale të larta për mbarështimin e blegtorisë dhe prodhimeve të saj, hapja e eksporteve për prodhimet shtazore do të zhvillojë më tej këtë sektor, shprehet specialsitet e bujqësisë.