Zbulohet projekti për rindërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, çfarë parashikon

101

Një publikim i fundit i Kuadrit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor lidhur me sektorin hekurudhor ndalet këtë herë në rehabilitimin e linjës Durrës-Rrogozhinë.

Duke sjellë në vëmendje se ky projekt është pjesë e korridorit 8 hekurudhor publikimi nënvizon në mënyrë të detajuar ndërhyrjet që do të kryhen si dhe ato elementë që duhet të mbahen parasysh në vlerësimin e ndikimit në mjedis. Përmbledhja jo-teknike e publikuar shpreh se edhe pse kemi të bëjmë me emërtimin “rehabilitim” në fakt ky projekt është ndërtim i mirëfilltë i hekurudhës me gjatësi 33.1 kilometra nga Durrësi në Rrogozhinë.

Për këtë linjë ka vite që diskutohet dhe më herët është hartuar edhe një studim-parafizibiliteti që konkludoi se kostoja e përafërt e punimeve do të ishte rreth 52 milionë euro ndërkohë që rehabilitimi i këtij segmenti me prioritet të lartë do të përmbushë standardet e projektimit të Rrjetit Ndër Evropian me shpejtësi 100km/h dhe ngarkesë aksi 22.5 ton. Koha e udhëtimit do të reduktohet nga 60 minuta në 32 minuta. Lëvizja përgjatë këtij segmenti pritet të arrijë 330,000 pasagjerë dhe 1,100,000 ton mallra deri në vitin 2047.

Por çfarë përfshijnë ndërhyrjet?

Së pari zgjerimin e trasesë nga 5.5 ne 6.6m, nga Shkozeti ne Rrogozhine, në një gjatësi prej 33.1 km. Ky zgjerim bëhet për tu përshtatur me standardet Europiane, te cilat kërkojnë një gjerësi minimale prej 6.0m. Zgjerimi deri në 6.6m do të bëhet për të mundësuar elektrifikimin e mëvonshëm te hekurudhës.

Së dyti prishjen e një pjese të urave ekzistuese dhe ndërtimin e urave të reja, në të njëjtin vend, në përputhje me standardet Europiane dhe kushtet gjeologo-inxhinjerike e sizmologjike te zonës se projektit. Ndërsa urat që nuk do të prishen do të rehabilitohen dhe përshtaten me kërkesat e projektit.

Së treti parashikon prishjen dhe rindërtimin e tunelit te Rrogozhinës, me gjatësi prej 380m. Tuneli mund të zgjerohet për t’ju përshtatur elektrifikimit të ardhshëm te hekurudhës. Duhet theksuar se elektrifikimi nuk është pjese e këtij projekti.

Po kështu parashikohet përmirësimi i gjurmës horizontale të trasesë, ne rastet kur rrezja e saj është me e vogël se 500m. Rritja e rrezes se gjurmës se trasesë behet për të rritur shpejtësinë e trenave. Projekti parashikon përmirëson e gjurmës horizontale ne segmente te shkurtër te hekurudhës ekzistuese, si në Kavajë e Lekaj.

Përmirësimi i gjurmës vertikale të trasesë. Ky përmirësim do të bëhet për të siguruar pjerrësinë e duhur te linjës hekurudhore. Përmirësimi do të bëhet për të rritur shpejtësinë e trenave.

“Ndërtimin e rrjetit të kullimit, nga Shkozeti në Rrogozhinë. Tombinot e reja do të kenë diametër më të madh se ai ekzistues. Ndërtimin e nënkalimeve për këmbësoret dhe mjetet. Me kërkesën e bashkësive vendore, projekti parashikon edhe nënkalime te reja, si për shembull përballe shkollës se fshatit Lekaj, etj. Prishjen e ndërtesave te stacioneve (Golem, Kavaje, Lekaj e Rrogozhine) dhe ngritjen e ndërtesave te reja, sipas kushteve bashkëkohore” thuhet në dokument.

Projekti parashikon ndërtimin e rrugëve të reja dytësore, pak a shumë paralel me hekurudhën, si kompensim nga mbyllja e kalimeve te paautorizuara. Do të ndërtohen rreth 1.4 km rrugë në zonën e Shkozetit dhe 0.4 km për nënkalimin e ri ne Lekaj.