Arnika e Alpeve të Shqipërisë – Vlerat Befasuese të Një Bime të Rrallë

12

Arnika e Malit është një nga bimët më të vlefshme që na ka dhuruar natyra.

Ajo ka fuqinë të shërojë dhe kurojë shumë dhimbje trupore, lëndime dhe plagë të organizmit.

Përdorimet kryesore të arnikës së malit vërehen kundër të nxirave, enjtjeve, dhimbjeve, artritit dhe plagëve

Arnika e Malit, që ndryshe njihet si Duhani i Malit, është një bimë që i përket së njëjtës familje botanike si luledielli, madje lulja e saj është e madhe dhe me ngjyrë të verdhë.

Arnika e Malit gjendet kudo në Evropë dhe mbart emrin botanik Arnica Montana.

Arnika e Malit është gjithashtu edhe një tipar i veçantë i Alpeve Veriore shqiptare.

Banorët e zonave përreth e mbledhin rregullisht këtë bimë të rrallë mjekësore dhe e eksportojnë atë në tregjet perëndimore, të cilave nuk u mungon teknologjia për përfitimin e vlerave më të mëdha të kësaj bime.

Arnika e Malit është me të vërtetë një bimë e rrallë, pavarësisht se në vendin tonë rritet në gjendje të egër dhe ndeshet shpesh.

Megjithatë, shumë shtete të Evropës, veçanërisht asaj veriore kanë raportuar një ulje të ndjeshme të sasive të kësaj luleje të veçantë, duke i hapur rrugën eksporteve nga tregjet e reja.

Lulet e Duhanit të Malit këputen kur bima është rritur plotësisht. Ato duhen tharë dhe pastaj duhen të përdoren.

Rrënjët e bimës mblidhen, lahen dhe thahen me kujdes. Duhani i Malit është përdorur historikisht si një bimë mjekësore.

Në ditët e sotme, kjo bimë vjen tek konsumatori në formën e një xheli që aplikohet në lëkurë.

Në këtë formë, Arnika e Malit është një nga medikamentet më të përdorura të mjekësisë alternative, avantazhet e së cilës janë pikërisht tek origjina e kësaj bime të rrallë.

Nëse vuani nga artriti dhe përdorni xhelin me përqendrim 50 % të Arnikës së Malit, do të merrni të njëjtin efekt si të keni konsumuar 5% të ibuprofenit në formë xheli.

Evropa kërkon 50 tonë të Arnikës së Malit në vit. Kërkesa është e madhe, por nuk plotësohet dot, sepse kjo bimë është shumë e rrallë.

Vetitë e Arnikës së Malit

Largon dhimbjet

Arnika e Malit përbën një kurë natyrale kundër dhimbjeve. Ajo nuk i zbeh ato, por i largon tërësisht, duke stimuluar proceset shëruese të organizmit.

Arnika rekomandohet veçanërisht kundër dhimbjeve që vijnë si rezultat i traumave si rrëzimet ose inflamacioni siç është artriti.

Arnika e Malit ofron një alternativë të sigurt shëruese kundër dhimbjes pa efekte anësore të shkaktuara nga alternativat farmaceutike si ibuprofeni.

Ul enjtjet

Arnika e Malit është luftëtare fuqiplotë e inflamacionit. Ajo ul enjtjet dhe kuron edhe frakturat, ndrydhjet, shembjet e lëndime të tjera.

Shumë kirurgë e rekomandojnë Arnikën e Malit si një kurë natyrale kundër enjtjeve që ndodhin pas ndërhyrjeve kirurgjikale.

Kuron artritin

Arnika e Malit lehtëson dhimbjet nga artriti dhe ju ndihmon të lëvizni më lirisht.

Studimet kanë treguar që aplikimi i xhelit ose kremit të Arnikës së Malit në zonat e prekura nga artriti ndihmon ndjeshëm në krahasim me medikamentet.

Nëse këto të fundit kanë në përmbajtjen e tyre Arnikën e Malit, atëherë kanë më shumë sukses kundër artritit.

Shëron plagët

Arnika e Malit ndihmon në shërimin e shumë lëndimeve dhe plagëve.

Ajo kurrsesi nuk zëvëndëson kurat mjekësore, por ul dhimbjet e frakturave, nxirjeve, shembjeve, ndrydhjeve, ngërçeve etj.

Proçesi i shërimit është më i shpejtë në rast se përdorni Arnikën e Malit.

Përdorimi më popullor i Arnikës së Malit vjen në formën e xhelit që aplikohet në zonat e prekura. Arnika e Malit nuk konsumohet së brendshmi.

Arnika e Malit është një nga alternativat më popullore kundër dhimbjeve që përdoret në gjithë botën.

/agroweb.org