FOTOT/ Punimet në sheshin “Shqiponja”, së shpejti hapet tuneli nr. 3

52

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se punimet në sheshin “Shqiponja” po vijojnë me ritme të larta dhe shume shpejt do të bëhet e mundur edhe hapja e tunelit nr. 3 i cili do të shërbejë për qarkullimin e makinave nga Durrësi në drejtim të zonës së Astirit.

Në mesin e këtij muaji u bë e mundur hapja e tunelit nr.4 dhe përmes tij bëhet qarkullimi i automjeteve që dalin nga Tirana në drejtim të Durrësit, duke lehtësuar kështu qarkullimin.

“Sheshi Shqiponja ku pas hapjes së tunelit nr. 4 që ndikoi në lehtësimin e qarkullimit të mjeteve, së shpejti do të bëhet e mundur edhe hapja e tunelit nr. 3 i cili do të shërbejë për qarkullimin e makinave nga Durrësi në drejtim të zonës së Astirit dhe për t’i dhënë përparësi ndërtimit të tuneleve në proces”, bën të ditur ARRSH.

Sheshi “Shqiponja”, është pjesë e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe përfshin zonën nga rrethrrotullimi i sheshit “Shqiponja” deri te Pallati me Shigjeta.

Projekti i nënkalimit te sheshi “Shqiponja” është një zgjidhje teknike për qarkullimin e automjeteve në këtë segment tepër të ngarkuar, në harmoni me mjedisin dhe zhvillimin urban të Tiranës.