Japonia bën ‘çudinë’ e radhës, krijon Da Vinçin si robot për të mësuar shkencëtarët e rinj

6

Në bashkëpunim me kompaninë “Fujikin”, ekspertët e Universitetit japonez të Osakas kanë krijuar një robot të artistit dhe shkencëtarit italian Leonardo da Vinçi, i cili do të arsimojë gjeneratat e ardhshme të shkencëtarëve.

Roboti i Da Vinçit u është paraqit pjesëmarrësve të samitit që mblodhi sot liderët e 20 vendeve më të zhvilluara në Osaka.

Drejtori i marketingut i kompanisë “Fujikin”, Kouichi Nakamura, tha se “roboti ishte bërë në nder të Da Vinçit, ndaj të cilit bota është në borxh për veprat e tij”.

Ai deklaroi se “roboti Da Vinci është bërë edhe me qëllim që në mënyrë unike nxënësve t’u prezantohet puna e tyre dhe që të merren me shkencën dhe artin”.

“Kështu do të mundësojmë që nxënësit dhe shkencëtarët e ardhshëm të mësojnë përmes argëtimit”, shtoi Nakamura.

Ai u shpreh gjithashtu se “roboti Da Vinçi flet japonisht, anglisht dhe italisht”.

Duke u lidhur me rrjetin e Google, roboti do të jetë në gjendje t’u përgjigjet pyetjeve.

Nakamura paralajmëroi se “edhe Albert Einstein së shpejti do të ketë robotin e tij”.