Kabinet i ri i kimioterapisë dhe hemodinamikës edhe në Spitalin e Fierit

131

Spitali i Fierit për herë të parë ka hapur edhe kabinetin e kimioterapisë dhe te hemodinamikës.

Në spitalin rajonal të Fierit janë shtuar shërbimet për pacientët, të ofruara këto përmes aparaturave të teknologjisë së lartë. Rreth 1 milionë euro janë investuar vetëm gjatë këtij viti, në pajisje ekzaminuese dhe intervenuese bashkëkohore, për çdo kabinet mjekësor, duke iu shërbyer në këtë mënyrë 300 mijë banorëve të këtij qarku.

Në kuadrin e muajit të ndërgjegjësimit të luftës kundër kancerit të gjirit, në spitalin e Fierit është instaluar mamografia e lëvizshme, në shërbim të të gjithë grave dhe vajzave që duhet të depistohen.

Gjithashtu, pas dy spitaleve universitare të Tiranës (QSUT dhe ‘Shefqet Ndroqi’) dhe spitalit rajonal të Shkodrës, që mbulon me shërbim rajonin e veriut, shtohet në hartën e shërbimit të kardiologjisë edhe kabineti i hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit, që do të ofrojë shërbim të specializuar për të gjithë qytetarët e rajonit të Jugut. Urgjencat kardiake me metoda të avancuara do të zgjidhen në këtë spital.