Nga rrëqebulli i Ballkanit tek kaprolli, kamerat zbulojnë “thesarin” e Malit të Munellës (FOTOT)

94

Monitorimi i rrëqebullit të Ballkanit për vitin 2020 filloi në malin e Munellës, me aktivizimin e kutisë – kurth dhe vendosjen e kamerave në zonën rreth tij. Grupi i kërkuesve shkencor të PPNEAs aktivizoi kutinë kurth në Shkurt 2020 dhe qëndroi aktive deri në 21 Mars 2020. Kamerat sollën sërish foto rrëqebulli per të na treguar se ai është mbreti i kafshëve në atë zonë.

Surpriza e këtij sezoni monitorues ishte familja e rrëqebujve e fotografuar në zonën e studimit Polis-Gur i Zi, rajoni i Elbasanit. PPNEA në bashkëpunim të ngushtë me AdRZM Elbasan zhvilluan monitorimin ekstensiv me kamerat-kurth në këtë rajon (Polis-Guri i Zi dhe Rrajca), për një periudhë tre mujore (Shkurt-Prill 2020). Ky monitorim shënoi dhe rikthimin e PPNEA-s në rajonin e Elbasanit që prej vitit 2012, vit në të cilin grupi jonë i kërkuesve fotografoi për herë të parë rrëqebullin në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. Pamjet në të cilat shikojmë prezencën e më shumë se një individi në një foto vërteton qartazi popullatën e dytë të rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri pas asaj të Munellës, si dhe të tretën në të gjithë gadishullin e Ballkanit. Fotografimi dhe filmimi i tre rrëqebujve në një foto/video ka qenë një lajm kaq shumë i pritur dhe i kërkuar nga grupi i studiuesve të PPNEA.

Përveç rrëqebullit, kamerat tona kanë fotografuar edhe lloje të tjera të gjitarëve, po aq të rëndësishëm për rolin që kanë në ekosistem, si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), çakalli (Canis aureus), derri i egër (Sus scrofa), kaprolli (Capreolus capreolus) dhelpra (Vulpes vulpes), kunadhja (Martes foina), ketri (Sciurus vulgaris) dhe baldosa (Meles meles)./ PPNEA