Perla e turizmit malor, vendosen ndriçues në rrugën kryesore të fshatit turistik Theth (FOTO)

17

Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër dhe GIZ Albania bënë të mundur sot vendosjen e ndriçuesve në rrugën kryesore që të çon në qendër të fshatit turistik të Thethit.

“GIZ vijon me mbështetje reale në të mirë të banorëve të Thethit e po ashtu, në mbështetje të zhvillimit të turizmit të kësaj zone. Pas shumë bashkëpunimeve të mira që kemi pasur me GIZ, kryesisht në mbështetje të turizmit malor, sot, ADZM Shkodër së bashku me GIZ bënë të mundur vendosjen dhe montimin e 15 ndriçuesve në rrugën kryesore që të çon në qendër të fshatit, ndërsa nesër do të bëhet vendosja edhe 5 të tillëve tek Kisha e Thethit”, tha ADZM Shkodër.

Gjithashtu, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura mori përsipër pagesën e faturave elektrike për ndriçuesit.

ADZM Shkodër shprehet se tashmë vizitorët vendas e të huaj shëtitjet e tyre në park këtë vit, mund t’i shtyjnë deri në orët e vona.

Thethi është një fshat në njësinë administrative Shalë në qarkun e Shkodrës dhe është qendra e Parkut Kombëtar të Thethit.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare, e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.