Polakët dhurojnë 110 mijë euro për të prekurit nga përmbytjet në Shqipëri

85

Ndoshta nuk përmendet prej modestisë, por Caritas-i polak është një nga strukturat më afër me problematikat shqiptare. Dhe, nuk është habi që kohët e fundit  Caritas-i polak  (Caritas Poland)ka destinuar 110.000 Euro, të mbledhura nga dhurimet speciale të Polakëve në ndihmë të të prekurve nga përmbytjet e dy viteve të fundit në Shqipëri.

Projekti i  ndihmës polake  ka qenë i ndarë në dy etapa. Etapa e parë u përmbush në rajonin e Shkodrës, ku u ndihmuan familje të prekura nga fatkeqësitë natyrore në formën e materialeve të ndërtimit për të riparuar shtëpitë e përmbytura. Ndihma u materializua mes të tjerash në  formën e blerjes së materialeve të ndërtimit, mobiljeve dhe artikujve të përdorimit bazë.

Etapë tjetër e ndihmës ka qenë blerja e  pajisjeve elektroshtëpiake (pjesërisht të prodhuara në Poloni) për familje nga zona e Kamzës, të cilat kanë vuajtur pasojat e përmbytjeve. Për familjet në këtë zonë u dhuruan 70 frigoriferë, 75 lavatriçe,  20 soba elektrike dhe me gaz,  kaloriferë, hekura etj.  Artikujt me etiketën Caritas Polska iu dhuruan familjeve në nevojë.  Listën e nevojave e patën përgatitur me kohë  priftërinjtë polakë me mision në Shqipëri, në bashkëpunim me Caritas-in shqiptar.