Profil/ Dhurata Lazo, pianistja shqiptare që po shkëlqen në skenat e Europës

6

Talenti i padiskutueshëm i pianistes tashmë të njohur, Dhurata Lazo ka tërhequr vemendjen jo vetëm të publikut gjerman, por mbi të gjitha të kritikëve të muzikës klasike. Në shumë raste ajo është vlerësuar për lojën e saj plot elegancë dhe ndjeshmëri. “Ajo luan me një teknikë perfekte dhe plot ekspresivitet, përdor me inteligjencë pedalin dhe diferencon me rafinesë tonet. Publiku rrëmbehet në atmosferën e një nate ngushëlluese dhe çliruese”. Me këto fjalë e përshkruan shtypi gjerman “interpretimin e “Nocturne con grande espressione“ të Chopin nga pianistja shqiptare. Me një siguri të lartë e lojë të përkryer teknike, Dhurata ka bërë për vete publikun në çdo sallë ku ka luajtur. Madje ajo ka arritur kulmin kur shpesh spektatorët janë ngritur në këmbë në respekt të performancës së saj fantastike duke e shoqëruar me duartrokitje te gjata. Pjesët për piano nga kompozitorët më të njohur botërorë si: Bah, Bethoven, Hajden, Chopin, List, Grig, Ravel, Debysi, Brahms, Rahmaninov etj të interpretuara nga artistja jonë kanë lënë gjurmë në repertorin e koncerteve të shumta në Gjermani.

Një shqiptare elegante si Dhurata, modeste dhe gjithmonë e buzëqeshur, me një karrierë të gjatë artistike gati 30 vjeçare s’ka si të mos i magjepsë spektatorët dhe njohësit e muzikës klasike. Kritiku gjerman Gabi Treiber do të shkruante pasi kishte ndjekur koncertin: “Muzika e luajtur nga kjo pianiste e jashtëzakonshme ofroi një kënaqësi akustike, ajo shkonte mbas tonit dhe na ledhatonte shpirtin, duke luajtur me një teknikë të lartë dhe të admirueshme, kënaqësi e pafundme”. Dhurata Lazo është bërë tashmë e njohur me interpretimet e saj në shumë skena ndërkombëtare. Ajo për një kohë të gjatë ka luajtur në Itali, aty ku edhe fitoi pjekurinë artistike të interpretimit si soliste duke qenë se pati fatin të studionte për shumë vite në Akademinë e Chopin-it në Padova me Profesorin e njohur polak, Marian Mika. Dhurata ka luajtur recitale per piano edhe në SHBA, Luxemburg, Francë, Zvicër, Austri, Ukrainë, Shqipëri, Kosovë, Poloni.

Sot mund të themi pa frikë se pianistja e talentuar është kthyer në një ambasadore e denjë e kulturës shqiptare duke performuar edhe vepra të kompozitorëve të njohur shqiptarë. Sepse siç thotë ajo vetë, përveç talentit, Dhurata mori nga Shqipëria edhe një përvojë të madhe nga bashkëpunimi me kompozitorin e njohur Çesk Zadeja. «U largova vërtet nga Shqipëria por nuk largohesha dot nga muzika e kompozitorëve shqiptarë. Ata ishin bërë si pjesë e shpirtit dhe për mua ishin si ushqim i përditshëm. Veprat e tyre ishin në çdo pjesë, në çdo koncert, pra ishte gjithmonë një pjesë shqiptare dhe një pjesë e repertorit botëror në pianon time kudo. Madje CD-të me perlat shqiptare ua kam dhuruar në Romë Papës dhe Mbretëreshës së Anglisë në Londër », tregon me shumë krenari pianistja.

Por kush është Dhurata Lazo?

Ajo lindi në qytetin e gurtë të Gjirokastër dhe nisi të hidhte hapat e parë të rrugëtimit të saj të gjatë mbi tastierën e pianos qysh kur ishte gjashtë vjeç. Krejt rastësisht vogëlushja syzezë u gjend para këtij instrumenti mistik dhe në përmasa të mëdha. Me talent të lindur në një familje që e donte artin, por që nuk e kishte traditë këtë lloj arti, Dhurata do të linte pas shumë ëndrra dhe lojëra të fëmijërisë duke zgjedhur pikërisht pianon si sfidën më të madhe për të ardhmen e saj. «Prindërit më kanë ndenjur shumë pranë në këtë zgjedhje. Mbaj mend që ime mëmë më çonte e më merrte përditë në shkollën e muzikës. Ishte vështirë vërtet në atë kohë, sepse nuk kishe asnjë mundësi të kishe një piano në shtëpi. Por edhe mësueset ka qenë shumë të mira dhe më kanë ndihmuar shumë », kujton Dhurata 52 vjeçare sot.

Dhe kështu vit pas viti ajo pas shkollës tetëvjeçare vazhdon të studiojë edhe më tej piano, por tashmë në kryeqytetin e Shqipërisë. Talenti i saj tërheq vëmendjen jo vetëm të mësuesve. Ishin një sërë koncertesh të vogla, ku ajo shpalosi talentin që i dhanë edhe emocionet e para përballë publikut më të gjerë. Megjithatë si ditë të veçantë ajo do të kujtojë koncertin me orkestrën simfonike të RTSH me dirigjentin e njohur Ferdianand Deda. Me disiplinë dhe pasion pianistja e re gjirokastrite filloi të pushtonte me modesti në skenat dhe ekranet në shumë koncerte të asaj kohe në Shqipëri. Duke qenë studente e pedagogëve të njohur të asaj kohe si: Anita Tartari, Margarita Kristidhi apo bashkëpunimi me Ibrahim Madhin, Monda Koçon, Vangjush Papadhimitrin, Gjovalin Shestanin, Dhurata e pati më të lehtë të ngjiste shkallët e suksesit, edhe pse konkurrenca ishte e madhe.

Pas vitit 1990 edhe Dhurata bashkë me të shoqin, (instrumentist i njohur në oboe, Zija Bejleri) vendosën të zgjidhnin Italinë si vendin e ri të së ardhmes. Për të realizuar ëndrrat e lëna përgjysmë, asaj i ndihmoi shumë përvoja e madhe nga « konservatori shqiptar » edhe pse metoda e mësimit ishte i mbështetur në realizmin socialist të asaj kohe. Vajza zeshkane nga Gjirokastra me shumë vullnet arrin të diplomohet edhe në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” në Milano. Një karrierë e ndërtuar me shumë përpjekje dhe vështirësi. Rruga e prezantimit të talentit të saj do të niste në shtator të 1990 në një koncert të vogël për Krishtlindje për të vazhduar më tej me një sërë koncertesh në skenat më të njohura jo vetëm në Itali, por në shumë vende të botës. Krahas interpretimit të saj si pianiste, Dhurata pati fatin të jetë edhe mësuese në disa shkolla italiane.

Por gjithmonë Dhurata kokën e mbante pas tek atdheu. E emocionuar ajo do të kujtojë edhe koncertin e saj të parë pas gati dy dekadash në Itali, kur performoi me piano në Tiranë në aktivitetin Stina Koncertore e Orkestrës Simfonike të RTSH me dirigjentin kanadez Alain Trudel. Ky koncert do të ishte edhe një rifillim i lidhjes së saj bashkë me pianon me vendlindjen dhe Tiranën ku pas çdo koncerti publiku shqiptar do ta emocionojë atë më shumë se çdo publik tjetër në botë. Fryti i kësaj lidhjeje është edhe Albumi muzikor “Kujtime Shqiptare” (Albanien Memories), një CD me vepra shqiptare për violinë dhe piano nga kompozitorët Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Pjetër Gaci, Nikolla Zoraqi, Aleksandër Peçi, etj, të interpretuara nga ajo dhe Klajdi Sahatçi, violinisti virtuoz shqiptar me famë ndërkombëtare.

Në vitin 2004 ka realizuar CD-në e saj me pjesë për piano për Phoneix të titulluar “Concerto Lanfranchi”. Ministria e Kulturës në Tiranë dhe Akademia e Shkencave e kanë vlerësuar me çmimin “Muza”. Në vitin 2016 ka regjistruar me bashkëshortin e saj, Zija Bushi Bejleri CD-në “Fantasie” te Fazioli “Concert Hall” me vepra të repertorit francez për saksofon dhe piano. Ndërkohë që Chopin mbetet kompozitori më i veçanti për të dhe më i pranishmi në të gjitha koncertet, sepse sipas saj ai është »aristokrat i shpirtit ». Gjuha e tij është poetike, e lirë dhe frymëzuese, thotë Dhurata, e vlerësuar nga mediat e huaja si një pianiste virtuoze. Ndoshta pasioni i saj i madh për poezinë e bën që të jetë më pranë tij dhe ta ndjejë edhe më shumë gjatë interpretimi kompozitorin polak, me pjesë të të cilit ajo sot do të magjepsë publikun në Gjermani, ku prej 10 vitesh jeton. Të gjitha këto arritje, Dhurata ua dedikon njerëzve të saj më të dashur që ia kanë lehtësuar shumë rrugën drejt karrierës dhe suksesit. Artisja shqiptare është me fat që bashkëshortin e saj e ka në krah edhe në skenë, ndërsa janë të lumtur të dy si prindër që zoti i ka bekuar edhe me dy djem tashmë të rritur./ Burimi  “Diaspora Shqiptare”