Të huajt rritën netëqëndrimet në shtator, kryesojnë italianët dhe gjermanët

0

Shqipëria një destinacion i kërkuar për turizëm u konfirmua edhe në muajin shtator, ku sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) numri i netëqëndrimeve nga rezidentët vendas në strukturat akomoduese është dyfishuar, ndërsa numri i netëqëndrimive nga të huajt është rritur me 81%.

Të dhënat tregojnë se jugu ka tërhequr më shumë turistë, por rritje e lartë e netëqëndrimeve është konstatuar në zonën e Veriut.

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 70.1 %, në krahasim me shtatorin e 2022-shit. Të njëjtën ecuri ndjekin edhe dy treguesit e tjerë. Konkretisht numri i vizitorëve rezident është rritur me 60.3 %, ndërsa numri i vizitorëve jorezident është rritur me 76.0 %.

Numri i vizitorëve nga Kosova shënoi rritje me 9 %, nga Italia numri i vizitorëve jorezidentë shënoi rritje me 8.8 %, ndërsa nga Gjermania rrija ishte rritje me 7.2 % Rritje me 6.2 % shënoi edhe numri i vizitorëve polak, ndërsa numri i vizitorëve spanjoll u rrit me 3.2 %.

Numri i netëqëndrimeve gjithsej është rritur me 87.8 %, në krahasim me shtatorin e 2022-shit. Gjatë muajit shtator 2023, sipas INSTAT-it, është shënuar rritje e numrit të vizitorëve gjithsej me 70.1 %, krahasuar me shtator 2022. Numri i vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në rajonin e Veriut ka shënuar rritjen më të lartë me 2.2 herë.

Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 93.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Numri i vizitorëve jorezident të cilët janë akomoduar në “Hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 67.6 %.

Normat neto të shfrytëzimit, të dhomave dhe të shtretërve, janë dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë. Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 32.4 %, kundrejt 23 % që ishte në muajin shtator të 2022-shit.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 37 %, kundrejt 22.9 % që ishte në muajin shtator të 2022-shit.

/ata.gov.al