Technovation/ Krijuan aplikacionin “BusIt”, ekipi shqiptar arrin në gjysëmfinale

9

Ekipi shqiptar ka arritur në gjysëmfinale  të kategorisë së profesionisteve të Technovation falë aplikacionit të tyre BusIt.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka uruar sot ekipin shqiptar të kategorisë së profesionisteve të Technovation për arritjen në gjysëmfinale me aplikacionin e tyre BusIt.

“Ne jemi shumë krenarë për të gjitha vajzat që punuan fort në distancë dhe krijuan një aplikacion të tërë duke qenë tërësisht në izolim këtë vit”, ka theksuar ambasada e SHBA.

“Ato treguan vendosmëri dhe përkushtim të madh dhe ne nxisim çdo vajzë që të mos ndalë së zhvilluari idetë e saj dhe së ndjekuri pasionin për teknologji dhe sipërmarrje”, ka shtuar Ambasada amerikane.

Technovation është një konkurs që frymëzon shumë njerëz në mbarë botën të bëhen udhëheqës, krijues dhe zgjidhës të problemeve. Modeli i mësimit praktik sjell fëmijët dhe të rriturit së bashku për të eksploruar dhe luajtur me teknologjinë, ndërsa merren me sfidat e botës reale që ndikojnë më shumë tek ata. Duke u partnerizuar me organizata lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, si UN Women dhe UNESCO, Technovation ka punuar me njerëz në më shumë se 100 vende. Pjesëmarrësit mbështeten nga mentorë vullnetarë, përfshirë ekspertë të teknologjisë, inxhinierë dhe shkencëtarë nga kompanitë më inovative në botë, si Google, Adobe dhe NVIDIA.