4 000 hapa në ditë dhe truri ynë do të mbetet përherë i ri

10

Ata që vuajnë nga ndjenja e fajit pas darkës së Vitit të Ri, tashmë kanë veshur rroba sportive dhe kanë filluar të vrapojnë, të bëjnë palestër, me një arsye të vlefshme për të djersitur, sipas të përditshmes italiane “La Repubblica”.

Sikur të mos mjaftonte premtimi për të hequr qafe kilogramët e tepërt të grumbulluar mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe adrenalinën që jep doza ditore e sportit të shëndetshëm, sipas një ekipi ndërkombëtar studiuesish, ushtrimet fizike mund të përmirësojnë gjithashtu shëndetin e trurit.

Autorët e studimit, të botuar në “Journal of Alzheimer’s Disease” treguan prova të tjera që forcojnë lidhjen magjepsëse midis lëvizjes së rregullt dhe përfitimeve për mendjen.

“Kërkimi ynë mbështet studimet e mëparshme që tregojnë se të qenit fizikisht aktiv bën mirë për trurin”, tha studiuesi kryesor, neuroradiologu Cyrus A. Raji.

Ushtrimi jo vetëm që zvogëlon rrezikun e demencës, por gjithashtu ndihmon në ruajtjen e madhësisë së trurit, e cila është kritike ndërsa plakemi.

4 000 hapa në ditë janë të mjaftueshme

“Ne zbuluam se edhe nivelet e moderuara të aktivitetit fizik, si për shembull të bësh më pak se 4 000 hapa në ditë, mund të ketë një efekt pozitiv për shëndetin e trurit”, tha David Merrill, bashkautor i studimit dhe drejtor i Qendrës së Shëndetit të Trurit të Institutit të Neuroshkencës së Paqësorit.

”Hulumtimi ynë lidh aktivitetin e rregullt fizik me vëllime më të mëdha të trurit, duke sugjeruar përfitime neuroprotektive”, tha bashkautorja Somayeh Meysami nga Instituti i Kancerit ”Saint John”.

“Ky studim na lejon të thellojmë të kuptuarit tonë për faktorët e stilit të jetesës në shëndetin e trurit dhe parandalimin e demencës”, shtoi ajo.

Një studim i “Lancet” i vitit 2020 zbuloi se janë dhjetëra faktorë rreziku të modifikueshëm që rrisin rrezikun e sëmundjes së Alzheimerit, duke përfshirë aktivitetin fizik.

Studimi i fundit bazohet në hulumtimin e të njëjtëve autorë që lidhën konsumin e kalorive që rezulton nga aktivitetet e kohës së lirë me përmirësimet në strukturën e trurit.

Përfitimet ndaj Alzheimerit

“Kjo punë demonstron ndikimin e ushtrimeve në imazhin e trurit dhe, kur i shtohet studimeve të tjera për rolin e dietës, reduktimin e stresit dhe lidhjen sociale tregon përfitimet e provuara të faktorëve të modifikueshëm pa ilaçe në reduktimin e ndjeshëm të sëmundjes së Alzheimerit”, tha George Perry, kryeredaktor i “Journal of Alzheimer’s Disease”.

“Kjo i bën jehonë njohurive nga brezat e kaluar, duke treguar se aktiviteti më i madh fizik është një parashikues i një truri më të shëndetshëm të plakjes”, shtoi ai.

“Prandaj mesazhi është një, qëndroni aktivë”, tha ai.

“Pavarësisht nëse është një shëtitje e përditshme apo një sport i preferuar, aktiviteti i rregullt fizik mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit tonë”, thanë ekspertët

/ata.gov.al