FOTOT/ ARRSH kryen punime në disa akse në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore

25

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se po kryhen punime në disa akse rrugore të vendit në kuadër të rritjes së sigurisë rrugore.

“Vazhdojnë punimet për të shmangur problematikat dhe për të rritur sigurinë rrugore. Që në orët e para të mëngjesit në akset kryesor të vendit është bërë pastrimi i sipërfaqes së rrugës nga papastërtitë, lyerja e parapeteve të betonit me bojë reflektive në mënyrë që të shtohet shikueshmëria në aksin Qafë-Qelë – Pukë, prerja e vegjetacionit për të mos lejuar bllokimin e kanaleve drenazhuese dhe për rrjedhojë daljen e ujërave në rrugë, pastrimi i kunetave dhe pastrimi i kanaleve anësore”, bën të ditur ARRSH.

Autoriteti Rrugor, vlerëson se investimet për mirëmbajtjen e rrugëve ndikojnë në zhvillimin ekonomik, veçanërisht në zonat rurale.

Në buxhetin e shtetit për vitin 2021 janë planifikuar fonde në vlerë 217 milionë lekë dhe po ndërhyhet në rreth 46.1 km rrugë.