Hapen aplikimet e maturantëve për në universitet

1

Duke nisur nga dita e nesërme deri më datë 3 gusht, çdo maturant mund të aplikojë në portalin UAlbania për të zgjedhur listën e degëve ku dëshiron të studiojë. Rezultatet e provimeve, mesatarja, por edhe statistikat e viteve të kaluara i ndihmojnë maturantët që të orientohen më mirë në degët që duan dhe degët që mund të arrijnë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi i ftoi maturantët që të ndjekin studimet e larta në universitetet e Shqipërisë dhe të përfitojnë nga programet e studimit të përbashkëta apo të dyfishta të hapura në kuadër të procesit të ndërkombëtarizimit, si dhe veçanërisht programet e shpallura prioritet kombëtar, në të cilat mund të përfitojnë përjashtim nga tarifat dhe bursë mujore sa paga minimale.

Këtë vit përfitues të këtyre bursave do të jenë studentët pavarësisht notës mesatare, por gjithmonë duke plotësuar kriteret e pranimit për çdo program studimi. Gjithashtu këtë vit, për herë të parë vjen në ndihmë edhe kredia studentore, e cila do të mbulojë tarifën e studimit dhe kostot e jetesës për ndjekjen e një programi studimi, të ciklit të parë ose të dytë.

/ata.gov.al