Peshkimi me rritje të shpejtë, 137,7 milionë euro eksporte në 2022

1

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh sot se, “ndryshimet e propozuara në marrëveshjen themeltare të OBT-së, synojnë që të përforcojë zhvillimin e qëndrueshëm të peshkimit, duke adresuar dy probleme kryesore: peshkimin e paligjshëm dhe rrezikun e habitateve dhe specieve ujore nga peshkimi pa kriter”.

Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Kuvendit, Krifca vuri në dukje se, Shqipëria, si vend anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë, ka përfituar ndër vite lehtësi, që nga reduktimi i tarifave të eksporteve, tek rritja e besueshmërisë së investitorëve të huaj, njehsimi i politikave ekonomike dhe tregtare me politikat e partnerëve ndërkombëtar,  nxitja e shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve, etj.

Në fushën e peshkimit, tha ministrja, ashtu si në shumë fusha të tjera, rregullat e OBT ofrojnë një kornizë të qartë rregulluese, që pa dyshim kanë dhënë kontribut në rritjen eksponenciale të këtij sektori dhe veçanërisht të eksporteve.

“Fakt është që peshkimi është shndërruar në një prej sektorëve me rritjen më të shpejtë në ekonominë shqiptare, duke u rritur nga pak milionë eksporte, në 137,7 milionë euro në vitin 2022”, tha ministrja.

Duke u ndalur në projektligjin që prezantohet sot në Kuvend, Krifca u shpreh se, amendimet e këtij traktati vijnë pas negociatash të gjata ndërkombëtare, të nxitura nga të dhënat alarmante të OKB-së dhe Bankës Botërore, që raportojnë respektivisht se 34% e stokut botëror të peshkut nëpër dete po ezaurohet nga peshkimi përtej kufijve të qëndrueshëm të riprodhimit biologjik dhe peshkimi përtej kapaciteteve të qëndrueshëm i shkakton ekonomisë botërore 83 miliardë euro dëme.

Në këto kushte, vijoi ajo, amendimet e propozuara u adoptuan unanimisht nga vendet e Bashkimit Evropian, partnerët e tjerë të vendit tonë, si dhe vendet e rajonit.

Krifca vlerësoi se, aprovimi i këtij projektligji është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë; është thelbësor për të vijuar harmonizimin e mëtejshëm ligjor të kapitujve mbi bujqësinë dhe peshkimin si dhe është një sinjal i fortë që ne japim në mbështetje të ligjshmërisë dhe bashkëpunimit në komunitetin ndërkombëtar.

“Aprovimi i këtij ligji, pikë së pari motivohet nga interesi ynë kombëtar dhe përfitimet konkrete që do të kemi në fushën e peshkimit”, tha ministrja.

Krifca bëri të ditur se, asnjë subvencion i dhënë aktualisht nga Shqipëria nuk është gjetur në shkelje, ndaj në këtë drejtim, projektligji nuk sjell asnjë kufizim apo ndryshim thelbësor në skemat tona të mbështetjes së peshkimit.

Gjithashtu, vijoi ministrja, formalizimi i mëtejshëm i sektorit do të lejojë konsolidimin e industrisë së peshkimit, duke garantuar rritje të vazhdueshme të eksporteve dhe punësimit, në përputhje me objektivin tonë për të arritur në të paktën 200 milionë euro eksporte nga peshkimi brenda vitit 2030.

Sipas saj, ndalimi i peshkimit ilegal dhe mbipeshkimit do të mbrojë rezervat tona natyrore, duke bërë të mundur që të ardhurat e siguruara nga peshkimi të mos jenë sot për sot, por të shtrihen në mënyrë të qëndrueshme në kohë.

“Politika për mbrojtjen e specieve dhe ujërave tona detare është në përputhje me politikat tona për mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe aprovimi i ndryshimeve vjen me paketën për rritjen e asistencës teknike nga ana e OBT, që do të lejojë Shqipërinë të mbështetet në ekspertizën më të avancuar botërore, për nxitjen e mëtejshme të rritjes së sektorit të peshkimit, përpunimit dhe akuakulturës”, deklaroi ministrja.

Krifca tha se, gjithmonë e më shumë, peshkimi është shndërruar në një prej sektorëve me rritjen më të shpejtë të ekonomisë shqiptare. Në pak vjet, eksportet janë 7-8 fishuar, punësimi 10-fishuar.

“Kartëvizita më e mirë e kësaj rritje është rezultati i arritur në fillim të qershorit, kur Shqipëria u shndërrua në vendin e parë në Mesdhe që përmbushi sasinë vjetore të kuotës së peshkimit të peshkut ton, me plot 264 tonë. Nuk ishte e largët dita kur Shqipëria thjesht shiste kuotat e saj në ankand, sepse nuk kishte kapacitet për të peshkuar sasinë që i takonte”, u shpreh ministrja.

Krifca shprehu gatishmërinë për mbështetjen e industrisë së peshkimit për rinovimin e flotës, instalimin e pajisjeve frigoriferike, ndryshimin e motorëve, mbështetje me litra naftë e tashmë e kemi përfshirë edhe në skemën kombëtare të trajnimit.

“Është fakt që ky sektor, vit pas viti përfiton një mbështetje gjithmonë më të madhe nga skemat e IPARD. Qëllimi ynë është që të vijojmë ta mbështesim edhe më shumë. Në këtë drejtim, aprovimi i këtij projektligji, jo vetëm që nuk do të ketë asnjë pasojë frenuese, por përkundrazi, do t’i japë një hov të ri eksporteve dhe punësimit, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare”, deklaroi ministrja, teksa i bëri apel deputetëve, që ashtu si në Komisionet Parlamentare, të aprovojmë këtë projektligj unanimisht, duke dhënë kështu një sinjal të fortë të angazhimit dhe dedikimit të vendit tonë ndaj partnerëve ndërkombëtare dhe kauzave globale si dhe mbi të gjitha, një sinjal të fortë mbështetje ndaj atyre mijëra e mijërave shqiptarëve të punësuar në këtë industri.

/ata.gov.al