Peleshi: Segmenti Qukës-Qafë Plloçë, projekt që nxit potencialet e agroturizmit

6

Niko Peleshi deklaroi sot se, vonesat në projektin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë erdhën si pasojë e projektit të trashëguar nga qeveria e Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij në Kuvend për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes Istisna’a dhe të marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së Agjencisë Istisna’a, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Islamike për Zhvillim, për ndërtimin e segmentit Qukës-Qafë Plloçë, si pjesë e korridorit rrugor Tiranë-Korçë, ratifikuar me ligjin nr. 128/2013”, Peleshi u shpreh se, “ky pr/ligj siguron në mënyrë finale financimin e plotë të një projekti shumë të rëndësishëm, për jo vetëm qarkun e Korçës, por për të gjithë Shqipërinë”.

Sa i përket akuzave të opozitës për vonesat e këtij projekti, Peleshi u shpreh se, “është e vërtetë që trashëguam një kredi të negociuar nga ministri i Financave të qeverisë së kaluar, Ridvan Bode, të cilin e falënderoj, sepse mendoj se ka qenë i interesuar ta çonte përpara atë projekt. Ama deri këtu, sepse përtej kësaj, çdo gjë që trashëguam ishte shkaku i vërtetë i vonesës së deritanishme të realizimit të atij projekti. Trashëguam një projekt, i cili ishte një projekt elektoral”.

“Fatura e vonesës ju takon juve, sepse projekti që trashëguam ishte një projekt, i cili kishte pasaktësi ekstreme. Diferenca nga një lot tek loti tjetër në lartësi ishte jo me centimetra, por me dhjetëra metra. kështu që na u desh të merrnim kohën, të rishikonim projektin, me procedura që kanë burokracinë e tyre dhe që na çuan në vonesë”, tha Peleshi.

Sot, theksoi ai, “vjen lajmi i mirë që është negociuar me sukses dhe miratohet sot në parlament financimi i munguar për shkak të punimeve të paparashikueshme për shkak të projektit që trashëguam”.

“Ky projekt është i rëndësishëm, afron një rajon. I jep gjallëri një rajoni tjetër të fjetur, por me shumë potencial, për agroturizmin, pasuritë historike, kulturore, trashëgiminë, që është zona e Mokrës me një popullsi të shkëlqyer, por që kanë qenë afër dhe larg. Afër në distancë kilometrike, por larg në distancë kohore për shkak të akseve të munguara të një rruge normale”, u shpreh Peleshi.

Marrur nga: ata.gov.al