Rriten eksportet e mollëve shqiptare, ja dy zonat që japin 70% të prodhimit

15

Shqipëria është një ndër konsumueset më të mëdha të mollëve në Europë. Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, konsumi i mollëve në Shqipëri u rrit në shifrat e 25 kg/ për frymë, kundrejt nivelit 19 kg/ për frymë që regjistron konsumi i mollës në Bashkimin Europian.

Molla është një nga drurët frutorë më të rëndësishëm në vendin tonë, si në volum ashtu dhe në vlerë.

Sipas statistikave në vitin 2019 në Shqipëri prodhimi i mollës u rrit në 105.933 tonë, kundrejt 12.000 tonëve që shënonte prodhimi i përgjthëshëm i kësaj kulture në vitin 2010.

Kërkesa për kultivimin e mollëve dhe mbështetja me skema subvencionuese ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas çka ka ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit të eksport/importit të molleve.

Vlen të theksohet fakti se në vitin 2019 u eksportuan 13.437 tonë mollë kundrejt 0 eksporteve që ishin në vitin 2010. Ndërsa importi i mollëve u ulë ndjeshëm në 7.755 tonë në vitin 2019 kundrejt 29.600 tonë importeve në vitin 2010.

Ndërkohë dy janë zonat që regjistrojnë prodhimin më të lartë të mollëve në vend Korça dhe Dibra, që zënë rreth 70% të prodhimit total të mollëve në shkallë vendi.

Varietetet që prodhohen më së shumti në Shqipëri janë dy derivatet e Red Chief dhe Starking që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë, dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%.

Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si Gala, Mutsu dhe mollë Granny Smith.