Shkolla e re e biçikletave për fëmijët e çdo grupmoshe drejt përfundimit

2

Një tjetër hapësirë në kryeqytet do të jetë në dispozicion të fëmijëve për zhvillimin dhe edukimin me rregullat bazë të sjelljes qytetare të sigurisë rrugore.

Këndit Edukativ i Sigurisë Rrugore për fëmijët do të shërbejë për edukimin rrugor, njohjen me sinjalistikën rrugore, ndërgjegjësimi mbi rreziqet në rrugë, praktika e sjelljeve të përgjegjshme dhe zgjedhjet e sigurta në situata të improvizuara rrugore për veten e të tjerët.

Me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimit mbi sigurinë rrugore, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, vazhdon projektet e iniciativat konkrete për edukimin e fëmijëve  me qëllim kryesor nxitjen e të mësuarit mbi rregullat dhe sinjalistikën e  qarkullimit rrugor përmes lojës. Procesi i të mësuarit i mbështetur në modele konkrete të sjelljes në trafik dhe i shoqëruar me shembuj të shumtë në praktikë, rrit efektshmërinë e edukimit rrugor të fëmijëve, për të kuptuar sa më qartë situatat në rrugë.

Fëmijët, si pedalues apo si këmbësorë por edhe si shoferë nesër, duhet të njihen me rregullat dhe rrezikun e përdorimit të rrugës, me sinjalistikën bazë dhe me rëndësinë e kujdesit për veten dhe tjetrin. Mobiliteti urban por edhe njohuritë mbi trafikun, lëvizjen, të drejtat e detyrimet, nguliten më mirë që në fëmijëri, ku rol parësor ka shembulli në familje, shkolla si edhe aktivitetet edukative e didaktike siç pasqyron edhe projekti kombëtar i DPSHTRR “Siguria Rrugore” në bashkëpunim me bashkitë, policinë, shkollat dhe komunitetet.

/ata.gov.al