Atmosferë festive në Durrës, panairi ‘Verë dhe Traditë’ mbledh qindra qytetarë në shesh

3

Në prag të festave të fundvitit, në Durrës është çelur panairi “Verë dhe Traditë”.

Nata e parë e panairit “Verë dhe Traditë” bëri bashkë prodhuesit e verërave të zonës së Durrësit dhe fshatrave përreth dhe qytetarë të shumtë të cilët ju bashkuan atmosferës festive në sheshin “Liria”.

Në panair prezantohen shumë kantina vere me prodhimet e tyre, që kanë tërhequr mjaft  vëmendjen e qytetarëve.

Ndërsa panairi po shoqërohet edhe me një program festiv.

Synimi i këtij panairi është që të bëj bashkë prodhuesit e verës, të cilët janë të shumtë në numër dhe e konsiderojnë këtë aktivitet, si një mundësi shumë të mirë për promovimin e potencialeve gastronomike të qytetit të Durrësit dhe të fshatrave turistikë përreth.

Njëkohësisht duke qenë në prag festash, ky panair shërben për të përçuar atmosferën festive tek qytetarët, por edhe turistët e huaj.

Qytetarët që vizituan panairin patën mundësi të degustonin verërat e kantinave durrsake, por jo vetëm, pasi në panairin që mbështetej nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit kishte dhe shumë stenda të prodhuesve të vajit të ullirit, mjaltit etj.

Për organizatorët, ky panair është në edicionin e tij të parë, por synohet të kthehet në traditë në qytetin bregdetar.

Synojmë që vitin e ardhshëm të kemi më shumë pjesëmarrës në panair, sepse e gjitha kjo është një promocion shumë i mirë për qytetin”, tha ndër të tjera drejtoresha e Turizmit në bashki, Floreta Kërtusha.

Përveç degustimit të produkteve të ekspozuara në stenda, qytetarët patën mundësi të argëtohen me tingujt e muzikës së koncertit që u mbajt në shesh. Të shumtë ishin ata që ia morën valles, duke sfiduar edhe temperaturat e ulëta të këtij fund dhjetori.

/ata.gov.al