MF: Të ardhurat në buxhet rriten 10.5%, në 5-mujorin 2023

0

Buxheti ka arkëtuar 257.9 miliardë lekë në pesë muajt e parë të këtij viti, me një rritje prej 10.5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në raport me 4-mujorin, kur zgjerimi ishte 10.2 %. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave në maj, ku u arkëtuan 50.8 miliardë lekë, ose 12.3 % më shumë se i njëjti muaj i një viti më parë. Në prill zgjerimi kishte qenë minimal prej 5.3 % (ecuri reale negative nëse indeksohej me inflacionin dhe rritjen ekonomike).

Tatimfitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale vijojnë të mbajnë peshën kryesore në zgjerimin e të ardhurave buxhetore. Të ardhurat nga tatimfitimi u rritën rekord prej gati 41 %, të ndikuara dhe nga tatimfitimi i jashtëzakonshëm për kompanitë e prodhimit të energjisë.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Financave, të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 102 % të planit të të njëjtës periudhë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 5-mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 221.7 miliardë lek me një realizim në 90 për qind të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë +3.5 për qind më të larta ose rreth +7.6 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 5-mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 36.2 miliardë lekë, nga rreth 7 miliardë lekë suficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i suficitit rezultonte në masën prej rreth 19 miliardë lekë.

“Të ardhurat totale për 5-mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 257.9 miliardë lekë, ose 102 % të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 24.5 miliardë lekë ose 10.5 % më shumë”, njofton MFE.

/ata.gov.al