Përfundojnë 42% e punimeve në aksin Elbasan-Qafë Thanë

16

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII, për të cilën aktualisht po punohet me ritme të shpejta në terren, është një nga projektet infrastrukturore premtuese me një dimension shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në zonën juglindore të vendit, si dhe lidhjes së vendit tonë me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë.

Aksi Elbasan-Qafë Thanë së bashku me aksin Durrës – Prishtinë – Nish do t’i japë përfundimisht Portit të Ri Tregtar të Durrësit rolin e shumëdëshiruar strategjik, si nyje lidhëse Lindje – Perëndim për lëvizjen e mallrave.

Rruga shtrihet në një gjurmë tërësisht të re buzë lumit Shkumbin, duke i dhënë zgjidhje edhe një problematike që lidhet me mungesën e ndërhyrjeve ndër vite të sistemimit të shtratit të lumit.

Po ashtu projekti ndikon drejtpërsëdrejti edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së zonave përreth, të cilat do të lidhen me Qendrat Administrative dhe Qendrat Administrative kufitare, por edhe do të nxjerrë në pah fushëpamjen panoramike të zonës.

Aksi Elbasan-Qafë Thanë është një vepër që do të zhvillohet në 8 lote, ndërkohë që loti i parë dhe i dytë janë aktivë në këtë moment. Në vitin 2024 do vazhdohet me hapjen e lotit te pestë dhe të gjashtë, ndërsa në vitin 2025 me lotin 7 dhe 8.

/ata.gov.al