5 arsye pse nuk duhet t’i fajsojmë punonjësit për gabimet

0
184

Ne jemi pjesë e një kulture ku gabimet janë parë gjithnjë si diçka që duhet shmangur në të gjitha mënyrat. Zakonisht kur ne gabojmë, ndihemi të stresuar, na vjen turp për gabimin që bëmë, madje disa e fajësojmë shumë veten duke u ulur në minimum vetëvlerësimin. Gabimi merr edhe më shumë nota dramatike kur ndodh në ambientet e punës.

Askush nuk do të donte që në kompaninë apo në departamentin që drejton krijohet një ambient i tillë ku punonjësit të mos tregonin kujdes për punën e tyre.

Gjithashtu duke mbështetur një kulturë pune që nuk i penalizon punonjësit për gabimet e tyre ju si kompani do të kishit përfitimet e mëposhtme:

1- Mjedis pune sa më të qetë

Kur gabimet nuk shihen si diçka e pafalshme dhe e dënueshme, atëherë mjedisi që krijohet është shumë i qetë dhe aspak frustrues. Në raste të tilla, punonjësit jo vetëm që i pranojnë gabimet e tyre por madje ata kanë menduar edhe mënyrën për t’i rregulluar ato.

2- Një kulturë pune pozitive

Pranimi i gabimeve është një hap shumë i madh dhe mbi të gjitha shumë pozitiv sepse duke e pranuar një gabim në një fushë të caktuar, atëherë ju përqendroheni më shumë në atë fushë duke u përpjekur të përmirësoheni. Këshillohet që për të pasur një kulturë sa më pozitive në kompaninë tuaj, ju të përfshini në të edhe trajnimet profesionale në sektorë të ndryshëm.

3- Punonjës sa më krijues

Një prej arsyeve më të shpeshta se përse punonjësit nuk janë kreativë është sepse ata i druhen dështimit dhe bërjes së gabimeve. Mbështetini punonjësit tuaj duke e hequr konceptin e frikës ndaj dështimit në kompaninë tuaj dhe do ta shikoni sesa shumë ide inovative do të merrni për projekte të ndryshme.

4- Shumë më pak gabime

Stresi që ju mund t’i krijoni vetes për të bërë të pamundurën që të mos bëni gabime mund të ketë efekte krejt të kundërta. Prandaj nëse ju jeni pjesë e një ambienti ku gabimet nuk shikohen si fundi i gjithçkaje, atëherë ju do të bëni shumë më pak prej tyre, sepse do të punoni qetësisht dhe pa qenë të stresuar.

5- Punonjës më të lumtur

Një ambient pune ku gabimet shihen si pjesë e procesit të punës është pikërisht ai ambient në të cilin punonjësit do të ishin më të lumtur sepse nuk do të punonin gjatë gjithë kohës të stresuar dhe për pasojë, edhe rendimenti i tyre do të ishte më i lartë.

Burimi: Revista Monitor