Elbasan, ndërhyrje në 8 km infrastrukturë nëntokësore në rrugën “Xhaferr Hakani”

2

Rruga “Xhaferr Hakani”, e ndodhur në një nga lagjet e vjetra të Elbasanit, prej ditësh është kthyer në kantier ndërtimi.

E amortizuar prej kohësh dhe me probleme në kanalizimin e ujërave të zeza, por edhe të ujërave të shiut, tashmë shumë shpejt kjo rrugë do të ketë standardin e duhur, sa i përket kanalizimeve të ujërave të zeza, si dhe rrjetit të ujësjellësit.

Bashkia e Elbasanit ka nisur një projekt për rehabilitimin e 8 kilometra kanalizime të ujërave të zeza në qytet dhe në zonat informale, aty ku ka pasur probleme.

Gjatë një inspektimi të punimeve në rrugën “Xhaferr Hakani”, kryetari i bashkisë, Gledian Llatja tha se “investimi në këtë rrugë është një rast konkret ku amortizimi i lagjeve të vjetra dhe shtimi i popullsisë ka shkaktuar edhe amortizim të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut, si dhe në rrjetin shpërndarës të ujësjellësit, të cilat kërkojnë ndërhyrje”.

Amortizimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut, herë pas here ka shkaktuar edhe përmbytjeve në katet e para.

Llatja u shpreh se “ndërhyrja që po kryhet është sistemimi i saj, për të vijuar më pas me rehabilitimin dhe sistemimin e komplet zonave”.

Fokusi i bashkisë Elbasan me projektin e ri të ndërmarrë është pikërisht ndërhyrja në lagjet e vjetra të Elbasanit, por edhe në zonat e reja ku është ndërhyrë për rehabilitimin e tyre.

Kryebashkiaku Llatja bëri të ditur se “po bëhemi gati për një plan të përgjithshëm për sistemimin njëherë e mirë të kësaj problematike në qytet”.

Investimi në infrastrukturën nëntokësore ishte një kërkesë e banorëve të lagjes, ku punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta duke marrë parasysh edhe kohën, e cila është e favorshme.

Banorët kanë shprehur opinionet e tyre rreth këtij investimi, pasi sipas tyre ndërhyrja në infrastrukturën nëntokësore ishte një problem i kahershëm për to, e cila ka gjetur zgjidhjen.

/ata.gov.al